Nuk ka mbetur fazë në jetën e njeriut, madje edhe as ndonjë situatë e caktuar në jetën e tij nëpër të cilën mund të kalojë ai e që jurisprudenca islame të mos e ketë shtjelluar e të mos ketë përcaktuar normat që vlejnë përkitazi me të.
Prej karakteristikave më thelbësore të ligjit të Allahut të cilin Ai e ka zbritur në Kuran dhe që është sqaruar e detajuar në formë të përkryer në synetin-traditën e Muhamed its.a.v.s., janë edhe universaliteti dhe gjithëpërfshirja e këtij ligji.
Nuk ka mbetur fazë në jetën e njeriut, madje edhe as ndonjë situatë e caktuar në jetën e tij nëpër të cilën mund të kalojë ai e që jurisprudenca islame të mos e ketë shtjelluar e të mos ketë përcaktuar normat që vlejnë përkitazi me të.
Në këtë kontekst, gjejmë që edhe fëmija i lindur para kohe, pavarësisht se a është abortuar me apo pa dëshirën e nënës së tij, dhe pa marrë parasysh se a ka lindur i gjallë apo i vdekur, për të gjitha situatat përkatëse gjejmë se ekzistojnë normatizime juridike adekuate, të cilat janë detajuar tashmë e disa shekuj më parë nga juristët islamë.
Në literaturën juridike islame "fëmijën e lindur para kohe" e gjejmë të emërtuar me shprehjen "-es siktu ose - es saktu", që gjuhësisht ka kuptimin e " fëmijës që lind ende pa ardhur koha e plotësimit të strukturës fizike apo embrionit të tij".(1) Andaj fëmija që lind para kohe, apo që është abortuar, respektivisht që është nxjerrë nga mitra e nënës së tij me ndërhyrje njerëzore, kategorizohet në tri situata-faza të ndara, në kuptim të përcaktimit të detyrimeve të të gjallëve në raport me të:
E para: faza kur fëmija lind-del nga mitra e nënës ende pa u formësuar mirëfilli dhe ende pa u fry mëzuar me shpirt nga Krijuesi i tij.
E dyta: faza kur fëmija lind i vdekur pas formësimit të tij dhe pas dhënies së shpirtit në mitrën e nënës.
E treta: faza kur fëmija lind (parakohe ose edhe me kohë), por që vdes menjëherë pas lindjes së tij. Që të tri këto faza apo situata kanë nevoje për shtjellime juridike dhe qartësime të mjaftueshme, ngase në disa prej tyre ka edhe divergjenca jo të pakta në mes të juristëve islamë.
Fëmija që lind i pa formësuar dhe ende pa iu dhuruar shpirti në mitrën e nënës
Ky është ai embrion-fëmijë që ka lindur para se t'i mbushë 120 ditë jete në mitrën e nënës. Gruaja që e lind embrionin në këtë fazë, pra, para se t'i mbushë 120 ditë shtatzënie, nuk konsiderohet fare si lehonë (rrjedhimisht nuk duhet të presë 40 ditë për t'u konsideruar e pastër) sipas juristëve hanefitë dhe atyre hanbelitë. Gjakderdhja e saj trajtohet vetëm si cikël menstrual, dhe gruaja e tillë duhet të presë më së shumti dhjetë ditë (sa është edhe maksimumi i kohëzgjatjes së një cikli menstrual tek gratë), ose eventualisht nëse i ndërpritet gjak derdhja më herët pastrohet-merr gusl, sipas mendimit më të saktë, dhe fillon namazin e agjërimin në formë normale menjëherë pas pastrimit të saj.(2)
Ndërsa embrioni-fëmija i tillë që ka lindur-dalë jashtë mitrës së nënës së tij, para se t'i formësohen qartazi gjymtyrët e tij, me pajtimin e të gjithë dijetarëve nuk duhet t'i falet namazi i xhenazes, sepse atij nuk i është dhënë shpirti fare sa ka qenë në mitër të nënës së tij. Ndërsa sa i përket pastrimit, juristët hanefitë kanë disa dallime të vogla në mes vete, por që mendimi më i saktë i tyre është se i tilli fëmijë pastro het, por jo me pastrim tipik të xhenazes, mirëpo vetëm i hidhet ujë për t'ia evituar gjakun nga trupi i tij, pastaj mbështillet në një copë petku (jo qe fin, ngase nuk ka nevojë), pastaj hapet një gropë në tokë dhe futet në dhe, në aq thellësi sa të sigurohemi që nuk do ta zbulojnë egërsirat apo nuk do ta nxjerrë jashtë ndonjë vërshim i ujit. E tërë kjo bëhet për të nderuar krijesën njëri, ani pse ende e paformësuar.(3) Ky embrion, që është para moshës 4- mujore (120-ditëshe), sipas mendimit më të saktë të dijetarëve nuk do të ringjallet në Ditën e Gjykimit fare, ngase të tillit Allahu nuk i ka dhuruar shpirt.
Faza kur fëmija lind i vdekur, pas formësimit të tij dhe dhënies së shpirtit
Kjo fazë përfshin lindjen e embrion it-fëmijës pas mbushjes së tij 120 ditë jetesë në mitrën e nënës e më shumë, madje edhe atë fëmijë që ka mbushur nëntë muaj në mitrën e nënës, por që ka lindur pa asnjë shenjë jete. Lidhur me këtë situatë kemi një hadith që është transmetuar në versione të shumta nga Muhamedi s.a.v.s., e njëri prej tyre është ai që e ka transmetuar Xhabir ibn Abdilahu, se e ka dëgjuar Muhamedin a.s. duke thënë:" Nëse fëmija jep shenja jete (pastaj vdes), i falet namazi i xhenazes dhe i përcaktohet hiseja e tij e trashëgimisë".(4) E Ibn Ebi Shejbe e citon një fjalë të transmetuar nga Imam Shabiu, që shumë nga dijetarët e mendojnë dhe e cilësojnë se është vazhdim i hadithit paraprak, ku thotë:"....e nëse nuk jep shenja jete, atëherë nuk i falet xhenazja e nuk i përcaktohet kurrfarë hiseje e trashëgimisë".(5)
Nga teksti i këtij hadithi kuptohet edhe mosobligueshmëria e faljes së namazit të atij fëmije që ka lindur pa shenja jete, për këtë madje i gjejmë se janë të pajtimit të gjithë dijetarët e hanefive dhe pothuajse shumica e dijetarëve nga katër shkollat juridike islame.(6) Por, dilema mbetet për obligime të tjera, pos faljes së namazit të xhenazes, sikurse janë: pastrimi, qefinosja, emërtimi i fëmijës etj. Sipas Imam Ebu Hanifes në mendimin më të shquar të tij, si dhe sipas shumë dijetarëve të tjerë nga shkollat e tjera juridike islame, ai nuk pastrohet fare e as nuk emërtohet me ndonjë emër, ani pse emërtimi mund të cilësohet vetëm i preferuar në këtë rast.
Megjithatë, mendimi që sot jepet fetva me të në shkollën juridike hanefite, nga dijetarët hanefi është ai i Imam Ebu Jusufit-nxënësit të Imam Ebu Hanifës (e kështu mendon edhe Imam Shafiu dhe Imam Ahmedi në njërin mendim të tyre) se fëmija që i është dhënë shpirti (pra, pas 120 ditëve jetë në mitër të nënës), por që ka vdekur para se të lindë dhe nuk ka dhënë shenja jete, pastrohet siç pastrohet një xhenaze, mbështillet në një lloj petku ("qefini") që e mbulon tërë trupin e tij dhe emërtohet me një emër të bukur (ngase ai do të ringjallet dhe do të thirret në Ditën e Gjykimit me atë emër), meqë në barkun e nënës atij i është dhënë shpirti, pastaj edhe varroset.(7)
Faza kur fëmija lind i gjallë, por vdes menjëherë pas lindjes së tij
Gjëja e parë që duhet theksuar këtu është se si të konstatohet fakti që një fëmijë ka lindur i gjallë, nëse eventualisht aty s'ka qëlluar asnjëri prej mjekëve që do ta bënte me ekspertizë këtë konstatim? Anipse shumë juristë të shkollave të tjera juridike e kushtëzojnë të qarët e fëmijës pas lindjes si shenjë e vetme për ta cilësuar atë fëmijë si të lindur i gjallë, megjithatë hanefitë mendojnë se shenjë jete te fëmija, pos të qarit, mund të jetë edhe lëvizja e ndonjë gjymtyre (dora, këmba, gishti etj.) pas lindjes, cilado qoftë ajo, gjithsesi e tillë lëvizje është edhe thithja nga gjiri i nënës së tij qoftë edhe një gllënjkë qumështi.
E nëse konstatohet që fëmija ka lindur i gjallë dhe ky konstatim vërtetohet me ndonjërën prej shenjave të lartëtheksuara, atëherë në bazë të hadithit të theksuar më parë, ai duhet që: të emërtohet, të pastrohet, të qefinoset dhe t'i falet namazi i xhenazes. Që të gjitha këto janë detyrime që bien mbi supet e prindërve të tij, eventualisht në mungesë të prindit, mbi supet e kujdestarëve të tjerë. Pra, ky tashmë trajtohet sikur të ishte një i vdekur mysliman që ka vdekur në moshën e tij madhore. Dhe për këtë çështje shumë dijetarë islamë e kanë transmetuar konsensusin juridik, për të cilin s'ka kurrfarë dileme tashmë.(8) Mirëpo, një gjë duhet thënë, se edhe nëse fëmijës së porsalindur i falet namazi i xhenazes, nuk nën kupton kjo gjithsesi që duhet bërë dua-lutje për të, ngase ai shkon te Zoti i tij i pamëkate fare, anipse të pranishmit që ia falin namazin e xhenazen luten, ata do të duhej që të luteshin për prindërit e tij e jo për shpirtin e tij.
E krejt në fund duhet theksuar edhe kjo se është e ligjshme dhe prej synetit të Muhamedit s.a.v.s. që të bëhet edhe ngushëllimi i atij të cilit i ka vdekur fëmija, pavarësisht moshës së fëmijës, sikurse është e ligjshme një gjë e tillë të bëhet për të rriturin mysliman.
_____________________________________
1. Shih: Kamus El Muhit, El Fejruz Abadij (fq. 618). Bot. i dytë. Daru Ihjai Et turath El arabijj. Bejrut. 2003.
2 El Bahru Err Rraik Sherh Kenzu Ed Dekaik, Ibn Nuxhejm El Hanefijj (1\230). Bot. i dytë. Daru El Kitab El Islamijj. Pa vend dhe vit të botimit.
3.Hashijetu Ibn Abidiin, Ibn Abidin, (2\228). Bot. i dytë. Daru El Fikr. 1998. Bejrut. Pastaj, libri -En nehru El Faik Sherh Kenz Ed Dekaik, Ibn Nuxhejm, (397\1). Bot. I parë. Daru El Kutub El Ilmijje.2002. Bejrut.
4. Hadithin e shënon Ibn Maxheh në "Sunenin" e tij (nr. I hadith it: 1508), Hakimi në "Mustedrekun" e tij, e të tjerë, ndërsa shumë hadithologë e kategorizojnë atë si hadith të saktë nëpërmes të gjitha rrugëve të transmetimit bash kërisht- Sahih li gajrihi.
5. El Musannef, Ibn Ebi Shejbe (nr. I hadithit:11604).
6. Madje Imam Ahmedi, Shafiu në mendimin e tij të parë, Ibn Sirini e Ebi Is'hak Ibn Rahavejhi mendojnë që nëse foshnja ka mbushur katër muaj, edhe nëse lind i vdekur i falet namazi i xhenazes së tij. (Shih:Fikhu Es Sunne, Sejjid Sabik, 1\529).
7. Bedaiu Es Sanai' fi Tertib Esh Sherai', Ebi Mes'ud El Kasanij (1\301).Bot.I parë. Daru El Kutub El Ilmijje. 1997. Bejrut.
8. El Fikh El Islamij Ve Edil-letuhu, Dr. Vehbe Ez Zuhejli (2\1491). Bot. i katërt. Daru El Fikr. 2004. Damask.
Dituria Islame 335