Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, së bashku me imamin e Xhamisë së Çokut në Junik, Imer ef. Krasniqin, panë nga afër punimet në restaurimin e Xhamisë së Çokut.
Ky monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore islame, i cili daton nga shekulli XVI, përbën një vlerë të veçantë të trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore. Për nga tipologjia e ndërtimit, Xhamia e Çokut karakterizohet nga elemente të stilit të kullave shqiptare të Rrafshit të Dukagjinit, duke dëshmuar për veçoritë e traditës vendore të ndërtimit.
Restaurimi i këtij monumenti po realizohet në bazë të protokollit të bashkëpunimit ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kosovës, me synim ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave historike, arkitekturore dhe kulturore të tij për brezat e ardhshëm.





