Mbi edukimin islam të rinisë sonë


Njëra ndër obligimet më të rëndësishme myslimane, si anëtarë të Bashkësisë Islame, ndoshta më i pari dhe më me prioritet, është edukimi islam i rinisë sonë. Angazhimi dhe kujdesi ynë në këtë fushë duhet të jenë të vazhdueshme dhe nuk guxojnë kurrë të ndërpriten, përkundrazi duhet gjithnjë të përforcohen, ngase rinia e shëndoshë paraqet ardhmërinë e një populli.


Edukimi Islam është themel, në të cilin mandej mund të ndërtohet personaliteti i shëndoshë. Figura shpirtërore dhe morale e njeriut të ardhshëm dhe ngritja kulturore e tij varen nga themeli i tillë i shëndoshë, nga edukimi i pastër dhe i mirë Islam, që ai person i merr qysh në fëmijëri në shtëpi të prindërve.
Islami është amanet i madh dhe i shenjtë, të cilin të moshuarit duhet t'ua dorëzojnë të rinjve. Ndërsa ai amanet mund t'u dorëzohet në dorë vetëm atyre të cilët janë të denjë për ta bartur. Ndryshe nëse nuk kujdesemi për edukimin Islam të të rinjve tanë, atëherë nuk do të kemi atë amanet kujt t'ia dorëzojmë. Prandaj është përgjegjësi e madhe për të vjetrit! Të rinjtë nuk janë fajtorë, nëse nuk janë udhëzuar me kohë në rrugë të drejtë dhe nëse nuk u është shortuar edukata e mirë, e shëndoshë dhe e pastër Islame.
Në një hadith Muhamedi a.s. ka thënë: "Çdo fëmijë lind në natyrën (e pastër) Islame. Pastaj prindërit e tij (nëse nuk janë myslimanë) e bëjnë atë hebre, ose të krishterë ose adhurues të zjarrit."
Fëmija e pranon atë fe të cilën ia servojnë prindërit. Ndërsa kur në një shpirt të shëndoshë e të pastër mbillet një filiz, më vonë është shumë vështirë të nxirret. Sipas kësaj, është përgjegjësi e madhe e prindërve për ardhmërinë e fëmijëve të tyre.
Fëmija, në jetë do të fillojë asaj rruge të cilën prindërit ia tregojnë dhe ia trasojnë. Nëse prindërit e lëshojnë rastin që ta udhëzojnë fëmijën e tyre, atëherë prindërit janë fajtorë dhe do të bartin përgjegjësinë për devijimin dhe shkatërrimin e tyre. Këtë shumë bukur na e përshkruan Pejgamberia.s. në hadith: "Secili prej jush është bari dhe do të jetë i pyetur për kopenë e vet". (d.m.th.: Secilit prej nesh na është besuar diçka e na është dhënë për ta ruajtur dhe do të japim përgjegjësi për të). Pastaj duke komentuar këtë hadith të shkurtër por shumë të rëndësishëm, Pejgambe ria.s. thotë: "Udhëheqësi - sunduesi i një populli është bari dhe ai do të pyetet për kopenë e tij. Burri është bari në shtëpinë e tij (kujdeset për anëtarët e familjes së tij) dhe do të pyetet për kopenë e tij. Gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe ajo do të pyetet për kopenë e saj (që i është besuar sidomos për edukimin e fëmijëve si nënë). Shërbëtori është bari për pasurinë e zotërisë së tij edhe ai do të pyetet për kopenë e tij (për pasurinë që i është besuar).
Pastaj hadithin, e përfundoi me atë që e tha në fillim: "Shkurtimisht, të gjithë ju jeni barinj dhe secili prej jush do të jetë përgjegjës për kopenë e tij."
Ky hadith sherif është shembull shkollor i mjeshtërisë së shprehjes së Pejgamberit a.s. dhe aftësisë së tij, që ashtu lehtë dhe thjeshtë për ta thënë një mendim, i cili pastaj i argumentuar me shembuj të tillë bindës, bëhet për secilin i qartë dhe i kuptueshëm.
Në një hadith tjetër Pejgamberia.s. thotë: "Prindi nuk mund t'i lërë (trashëgim) fëmijës së tij asgjë më të vlefshme sesa edukatën e mirë". Më tepër vlen edukata e mirë sesa pasuria e madhe.
Abdullahu i biri i Umerit r.a. na jep këtë këshillë: "Eduko fëmijën tënd ngase do të pyetesh si e ke edukuar dhe çka e ke mësuar. Ndërsa fëmija do të pyetet a ka qenë i sjellshëm dhe i dëgjueshëm ndaj teje (a ka marrë udhëzimet dhe këshillat e tua dhe a ka vepruar sipas tyre)." Secili i ri që zhvillohet i ka dy edukues: i pari është prindi, ndërsa i dyti është mësuesi. Prandaj ekzistojnë dy faza, dy periudha në ndërtimin e një personaliteti.
Faza e parë është fëmijëria, kur prindi e ka fjalën kryesore. Ndërsa faza e dytë - djalëria ose rinia, do të thotë koha e shkollimit dhe mësimit, kur njeriu në themelet e edukatës shtëpiake, arrin arsimim të nevojshëm dhe përgatitet për profesionin e ardhshëm, të cilin do të zgjedhë vetëm atëherë kur të bëhet moshërritur. Prandaj roli dhe përgjegjësia është e madhe jo vetëm e prindit, por edhe e mësuesit për ndërtimin e një personaliteti.
Iskender Rumi (i njohur në Perëndim me emrin Aleksandri i Madh), sundues shembull dhe udhëheqës ushtarak, i edukuar mirë, i dijshëm dhe i drejtë, e kishte traditë të thoshte: "Babait tim i kam borxh që po jetoj fizikisht, ndërsa mësuesit tim i kam borxh që po jetoj si njeri i dinjitetshëm."
Nga këto fjalë shohim se sa ky sundues - humanist ka qenë falënderues edhe ndaj prindërit të tij, e edhe ndaj mësuesit të vet, të cilët i kanë dhënë edukatë të mirë dhe arsim të lartë. Ne të gjithë e dimë gjithë se me edukimin e fëmijës duhet filluar qysh në fëmijërinë e tij të hershme. Aq më tepër kujdesi rreth edukimit të drejtë të personalitetit të ardhshëm duhet të fillojë edhe më herët sesa fëmija të dijë për veten, madje edhe para se ai të lindë. Ngase shpirti i cili do të vijë në trup, ekziston dhe jeton shumë para lindjes së trupit. E kanë pyetur një plak të urtë: "Kur duhet të fillojë edukimi i fëmijës?" Ai është përgjigjur: "Njëzetë vjet para lindjes së tij!"
Kjo do të thotë se babai dhe nëna duhet të jenë të ndershëm dhe të edukuar dhe atëherë të shpresohet që edhe fryti i një martese të tillë - të jetë i ndershëm dhe fëmijë i hairit. Andaj duhet që çdo njeri para se të martohet, të shikojë mirë se kush do të jetë nëna e fëmijëve të tij. Ngase nëna ka shumë më ndikim në fëmijë sesa që ka babai. Për këtë shkak Pejgamberi ynë i ka rekomanduar atij që do të martohet që, në rend të parë, të kërkojë myslimane të mirë. Me një rast kur e ka pyetur një shok i tij se cila grua duhet zgjedhur për bashkëshorte, Pejgamberi a.s. është përgjigjur: "Gruaja merret për shkak të bukurisë, ose shkaku i pasurisë, ose shkaku i familjes së saj të famshme". Pastaj i tha: por ti djalosh merre atë që është fetare (myslimane e ndershme). Zoti të dhashtë mirësi!" Kështu në mënyrë prindërore Pejgamberi a.s. e këshilloi këtë shok.
Fëmijës që rritet dhe shkollohet, krahas edukatës Islame, duhet t'i jepet edhe arsimimi i nevojshëm bashkëkohor, që ai fëmijë, kur të rritet, të mos mbetet prapa kohës dhe të mos vuajë në jetë.
Hazreti Aliu r.a. i cili na ka lënë shumë fjalë të urta, lidhur me këtë ka thënë: "Edukoj fëmijët tuaj për atë kohë në të cilin ata do të jetojnë" (E jo sipas metodave dhe praktikës që ka mbisunduar në kohën e rinisë suaj)!"
Kohërat ndryshojnë, vijnë rre thanat e tjera jetësore e duhet të jetohet nën kushtet e tjera. Duhet parashikuar çdo gjë që mund të vijë dhe të sigurohemi që të përgatitur ta presim çdo furtunë, të cilën jeta e bart me vete. Atë që pajiset me dituri të nevojshme, atë koha nuk e shkel.
Ne në të kaluarën, në këtë pikëpamje kemi gabuar shumë dhe kemi bërë lëshime të mëdha. Pleqtë tanë nuk u kanë dhënë të rinjve shkollim bashkëkohor, andaj bota myslimane jona, në këtë pikëpamje, kanë mbetur prapa pjesëtarëve të feve të tjera. Për këtë shkak edhe kemi vuajtur shumë. Është dashur të kalojnë disa dekada dhe të shkundemi nga prapambeturia, ndërsa sot kemi rininë me arsimim të lartë, e cila është krenaria dhe uzdaja jonë. Ndërsa shpresojmë që Fakulteti Islamik tani do ta plotësojë zbrazëtinë dhe do ta përmirësojë atë që është lëshuar, duke dhënë kuadro të kualifikuara dhe të afta. Amin!


 


Marrë nga vepra "Izbor hutbi i vazova", Bot. K.B. Islame në B.H. Sarajevë, 1979. Për botuesin Bilal Hasanoviq.
E përktheu nga boshnjakishtja: Hajrullah Hoxha


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

“Origjina e numrave” – arti, matematika dhe shpirtërorja në një ekspozitë