Ngjarja e mysafirëve të Ibrahimit a.s.
"A e ke dëgjuar historinë e mysafirëve të nderuar të Ibrahimit?Ata hynë tek ai e i thanë: "Paqe!" - dhe ai u tha: "Paqe, o njerëz të panjohur!" E pa u vënë re ai shkoi te njerëzit e shtëpisë dhe solli një viç të majmë. Pastaj ua afroi atyre e u tha: "A nuk po hani?" Dhe ndjeu frikë prej tyre, por ata i thanë: "Mos u frikëso!" - dhe i dhanë lajmin e mirë për një djalë të dijshëm. Atëherë erdhi gruaja e tij, që duke thirrur dhe rrahur fytyrën tha: "Vallë, a mundem (të lind) unë, plaka shterpë?" Ata thanë: "Kështu ka qenë vullneti i Zotit tënd. Ai vërtet është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm." - (Edh-Dharijat, 24-30)
Lidhshmëria e këtyre ajetëve me ata paraprakë
Ky grup ajetesh, që fillon me shtjellimin e ngjarjeve të disa pejgamberëve të Allahut, duke filluar me Ibrahimin a.s., ka një lidhshmëri të ngushtë së pari me ajetet 7-14, të cilët kryesisht flisnin për qëndrimin mospërfilljes të idhujtarëve ndaj Shpalljes, për mosbesimin e tyre në ringjalljen dhe në llogarinë para Krijuesit. Sjellja e shembullit të shkatërrimit të popullit të Lutit a.s. ishte një shenjë hyjnore, se edhe idhujtarët mekas shumë lehtë mund t'i godasë një ndëshkim i tillë i tmerrshëm, nëse ata edhe më tej vazh dojnë të refuzojnë Dritën e udhëzimit, dhe ta mundojnë Pejgamberin a.s. Ndërsa lidhshmëria e këtyre ajeteve me ata paraprakë (15-23), është në disa segmente. Fillimisht vjen si një qetësim dhe prehje shpirtërore për Pejgamberin a.s., që të durojë vuajtjet dhe persekutimet që po ia bënin idhujtarët mekas, sepse edhe para tij të Dërguarit e Allahut kishin përjetuar mundime të tilla, si: Ibrahimi a.s., Luti a.s., Nuhi a.s. dhe Musai a.s.. por, në fund, ata kishin qenë fitimtarë, kurse popujt e tyre kishin përjetuar dënimin e merituar.
Këto ajete ndërlidhen me ata paraprakë, edhe për faktin se mbështetja tek Allahu gjithmonë të nxjerr fitimtar e ngadhënjyes, dhe ai që e arrin këtë gradë nesër do të jetë në Xhenet, e ata që mburren duke qenë mospërfillës dhe mohues, do të jenë në greminat e Skëterrës...
Koment:
24. "A e ke dëgjuar historinë e mysafirëve të nderuar të Ibrahimit?
25. "Ata hynë tek ai e i thanë: "Paqe!" - dhe ai u tha: "Paqe, o njerëz të panjohur!"
Këto ajete, fillojnë me ngjarjen e mysafirëve të Ibrahimit a.s., të cilët në fakt ishin engjëjt më madhështorë të Allahut, dhe kishin zbritur në tokë në forma njerëzore, për të përmbushur dy misione me të cilët i kishte ngarkuar I Lartmadhërishmi.
Sipas shumë librave të Tefsirit, këta engjëj ishin: Xhibrili, Israfili dhe Mikaili. Kishin zbritur në formë njerëzore, me një bukuri të rrallë e të jashtëzakonshme. Misioni i tyre ishte i dyfishtë; të kalonin tek Ibrahimi a.s. dhe ta përgëzonin për lindjen e një djali tjetër-Is'ha kut, sepse ai tashmë veç e kishte një djalë, Ismailin, të cilin, sipas urdhrit të Allahut, së bashku me gruan tjetër Haxheren e kishte dërguar në Mekën e atëhershme, të shkretë e të pabanuar. Ndërsa misioni i tyre i dytë ishte ndëshkimi i popullit të mbrapshtë të Lutit a.s., për t'u dhënë fund njëherë e përgjithmonë krimeve të tyre.
Ibrahimi a.s. i dëgjoi hapat e lehtë të engjëjve teksa po ecnin në drejtim të tij, natyrisht në forma njerëzore, dhe i shikoi me vëmendje. Ndonëse e pa se ishin të huaj, megjithatë tek asnjëri nuk vërejti gjurmët e udhëtimit si, rroba të pluhurosura, kafshë bartëse apo kalëruese, e të ngjashme, që zakonisht mysafirët apo udhëtarët e largët i kanë me vete. Ashtu siç ishte tradita bujare e fisnike e kësaj familjeje pejgamberike, po edhe e atyre anëve, ai menjëherë u ngrit për t'i mirëpritur mysafirët e largët. Ata i dhanë selam, dhe ky ua ktheu selamin po ashtu, duke u thënë: "Paqe dhe mirëseardhje, e me vete tha: "Për ju, o ju njerëz të panjohur".(1)
26. "E pa u vënë re ai shkoi te njerëzit e shtëpisë dhe solli një viç të majmë."
Ashtu siç përkon me edukatën e lartë të një Pejgam beri të Allahut, njërit prej elitës së tyre, "Ulul-Azmi", Ibrahimi a.s. i ftoi mysafirët e panjohur në tendën shtëpinë e tij, dhe pasi ata u ulën ai, me mirësjellje e pa u vërejtur, doli nga tenda dhe shkoi te bashkëshortja e tij Sara, për të shikuar se çfarë ushqimi kishin për t'ua ofruar mysafirëve që i kishin nderuar në konak. Nuk vonoi shumë dhe ai ua solli në sofër një viç të majmë e të pjekur në gurët e furrës, dhe i ftoi për të ngrënë...
27. "Pastaj ua afroi atyre e u tha: "A nuk po hani?"
Ibrahimi a.s. si i zoti i shtëpisë, i ftoi mysafirët për ushqim dhe ua bëri me shenjë që të fillonin të hanin, duke përmendur emrin e Allahut, dhe i pari mori kafshatën e parë, që pastaj edhe ata ta pasonin në këtë veprim. Tradita e njerëzve beduinë ishte e tillë, dhe vazhdon të jetë e këtillë edhe sot e kësaj dite. Pra, mikpritja e mysafirit është nder mbi ndere. Meqë nuk kishte ndonjë shërbëtor që t'u shërbente, e shoqja e Ibrahimit a.s. - Sara, e cila atëbotë ishte një plakë afër njëqind vjeçare, po qëndronte pranë derës së hyrjes, për t'ju shërbyer mysafirëve në shenjë nderimi e mirëseardhjeje, sepse kjo bujari ishte e zakonshme për një shtëpi pejgamberike. Shtëpia e tij ishte e hapur për mysafirë e udhëtarë të rrugës, në çdo kohë.(2)
28. "Dhe ndjeu frikë prej tyre, por ata i thanë: "Mos u frikëso!" - dhe i dhanë lajmin e mirë për një djalë të dijshëm."
Pas disa kafshatave ai përvodhi një shikim drejt tyre dhe vërejti se asnjëri prej mysafirëve nuk po e zgjaste dorën për të marrë diç nga ushqimi. Në ato momente ai ndjeu një frikë në vete. Sipas traditës së shkretëtirës dhe vendit ku atëbotë jetonte Ibrahimi a.s., mosngrënia e ushqimit nga ana e mysafirëve nuk ishte shenjë e mirë, dhe nënkuptonte se ata synonin një të keqe ndaj të zotit të shtëpisë.
Atij i shkuan mendime të ndryshme nëpër kokë, por njëri prej engjëjve fisnikë që po ia lexonte mendimet e tij butësisht dhe miqësisht i tha: "Mos u frikëso! Ne jemi engjëj të Allahut, dhe nuk hamë e as pimë. Ne kemi ardhur te ti për t'ju përgëzuar me lindjen e një djali të dijshëm, e pastaj kemi edhe një mision tjetër, ndëshkimin dhe shkatërrimin e popullit të Lutit a.s.
29. "Atëherë erdhi gruaja e tij, që duke thirrur dhe rrahur fytyrën tha: "Vallë, a mundem (të lind) unë, plaka shterpë?"
Në ato momente, teksa po e përcillte dhe po e dëgjonte bisedën e të shoqit me mysafirët, Sarës i shkoi buza në gaz nga përgëzimi që dëgjoi. Rreth kësaj tematike bëjnë fjalë edhe dy sure të tjera kuranore: "Hud" dhe "El-Hixhr". Ja se çfarë është shënuar në suren "Hud" lidhur me dialogun e Sarës me engjëjt e Allahut: "Gruaja e tij (Sara), që rrinte aty, qeshi kur Ne i dhamë lajmin e mirë për Is'hakun, e pas Is'hakut - për (nipin) Jakubin." - (Hud, 71).
Sara nuk po mund t'u besonte veshëve të saj nga ajo që po dëgjonte, dhe me habi tha: "Ah! E mjera unë! A mos vallë kështu plakë do të lind unë, ndërkohë që edhe burri im është i shtyrë në moshë! Me të vërtetë kjo është diçka e jashtëzakonshme!"
Atëherë engjëjt fisnikë i thanë: "Ata (engjëjt), i thanë: "A mos vallë po çuditesh me urdhrin e Allahut? Mëshira e Allahut dhe bekimi i Tij qoftë mbi ju, o familje e të Dërguarit! Me të vërtetë, Ai është meritor për falënderim dhe i Lavdëruar!"- (Hud, 72-73).
Nga këto fjalë të engjëjve fisnikë zemrën e Ibrahimit dhe të Sarës e përshkuan emocione të papërshkrueshme. Një ndjesi e lumturisë shpirtërore mbushi tërë qenien e tyre. Përgëzimi i engjëjve shungulloi thellë shpirtrat e tyre. Ajo ishte plakë e shtyrë në moshë, madje edhe sterile, ndërkohë që edhe burri i saj, Ibrahimi a.s., kishte arritur pleqërinë e thellë.
Por, për ta qetësuar zemrën e Ibrahimit a.s., dhe gjithashtu edhe të Sarës, nga ky përgëzim i papritur për ta, engjëjt sërish iu drejtuan Ibrahimit a.s.: "Ne të morëm myzhde, (të përgëzuam) me atë që është e sigurt, e ti mos u bëj i pashpresë!" - (El-Hixhr, 55), kurse Ibrahimi a.s., me fisnikëri, respekt e përulësi tha: "... Askush nuk e humb shpresën në mëshirën e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur." - (El-Hixhr, 56).
30. "Ata thanë: "Kështu ka qenë vullneti i Zotit tënd. Ai është vërtet i Urtë dhe i Gjithëdijshëm."
Përgëzimi i engjëjve për Sarën ishte momenti më i lumtur për të. Ia bënë me dije se Vullneti i Allahut ishte që të lindte një djalë të urtë e të dijshëm, dhe në pleqërinë e saj të thellë. Ajo iu bind me respekt e përulësi këtij vullneti hyjnor.
Sara ishte gruaja e parë e Ibrahimit a.s. Ishte e vetmja femër që i kishte besuar atij në misionin me të cilin e kishte dërguar Allahu i Madhërishëm. Ata kishin jetuar një jetë të lumtur bashkëshortore, dhe kishin arritur në një moshë të thellë të pleqërisë, pa e përjetuar dot ndjenjën e amësisë dhe të atësisë. Disa vite para këtij përgëzimi, pra për lindjen e Is'hakut, Sara ia kishte propozuar Ibrahimit a.s. martesën me shërbëtoren e saj Haxheren, të cilën asaj ia kishte dhënë si dhuratë sundimtari i atëhershëm i Egjiptit. Ajo e kishte bërë këtë sakrificë nga dashuria dhe respekti i madh që kishte ndaj bashkëshortit të saj Ibrahimit a.s. Dhe kishte dashur Allahu që Haxherja, tashmë si bashkëshorte e dytë e Ibrahimit a.s., atij t'ia lindte një djalë, Ismailin a.s. Por, ashtu siç thamë më parë, ai me urdhrin e Allahut u vu në sprovë të madhe të atësisë, duke e dërguar Haxheren dhe Ismailin në shkretëtirat e Mekës...
Sarën vazhdonte ta përvëlonte dashuria dhe malli për ta pasur një fëmijë. Ky mall nuk i qe shuar asnjëherë, derisa nuk e kishte arritur moshën e pleqërisë, kur çdo shpresë dhe ëndërr për të lindur i qe venitur. Ajo, me zemër të pikëlluar, megjithatë i qe bindur këtij caktimi hyjnor, por ja, tash, gati në perëndim të jetës së saj, po e merrte këtë përgëzim kaq të madh e të papritur. Do të lindte djalë, e engjëjt e kishin përgëzuar se edhe djali i tij do të kishte djalë, dhe ajo do ta arrinte madje edhe lindjen dhe rritjen e nipit të saj - Jakubit a.s.
Kishte duruar e vuajtur aq gjatë, dhe kishte humbur të gjitha shpresat se një ditë mund të lindte, e pastaj befas i erdhi shpërblimi nga Allahu, që për një çast i fshin dhe i largon tërë mundimet dhe pikëllimet e shtresuara në zemrën dhe mendjen e saj.
Edhe Ibrahimi a.s. ndjeu një përzierje ndjenjash e emocionesh. Në thellësinë e shpirtit të tij ndjeu erërat e mëshirës, ngrohtësisë dhe afërsisë hyjnore. Ai po e ndiente se ishte përballë një mirësie që nuk po dinte si t'ia jepte hakun e mirëfilltë të falënderimit. Nuk priti më gjatë, por përnjëherë ra në sexhde, në shenjë falënderimi ndaj Allahut xh.sh. ...(3) Pastaj e ngriti kokën nga sexhdeja dhe u kthye kah engjëjt, duke i pyetur për qëllimin e vizitës së tyre te populli i Lutit a.s. ...
Porosia e këtyre ajeteve: (24-30)
- Nga normat e mirësjelljes në Islam, është mikpritja dhe nderimi i mysafirit duke i përshëndetur ata me përshëndetjen e paqes - Selamin.(4) Në lidhje me këtë Allahu xh.sh. na edukon kur thotë: "Kur ju përshëndet dikush me respekt, kthejani me një përshëndetje më të mirë, ose në të njëjtën mënyrë!" - (En-Nisa'ë, 86).
- Kur të afrohemi afër ndonjë shtëpie, apo kur jemi duke u afruar pranë një grupi njerëzish, ata së pari duhet përshëndetur me Selam.
- Gjithashtu nga edukata e mirësjelljes është që kur ta shohësh se një person që qëndron para teje dhe duket i frikësuar nga ti, po ti duhet ta qetësosh me fjalë, që të mos ndiejë më frikë, ashtu siç vepruan engjëjt me Ibrahimin a.s. Madje, edhe i Dërguari i Allahut - Muhamedi a.s. ka ndaluar nga frikësimi i myslimanëve, kur thotë: "Nuk i lejohet një myslimani ta frikësojë një mysliman tjetër."(5)
- Engjëjt janë krijesa fisnike, dhe me lejen e Allahut mund të marrin trajta njerëzore. Kjo ka ndodhur shpeshherë edhe kur Xhibrili a.s. i vinte Muhamedit a.s. në formën e njeriut dhe i sillte Shpalljen. Një ndër detyrat e këtyre engjëjve madhështorë ishte edhe ndëshkimi i popujve mizorë, të cilët kishin kaluar çdo kufi në mëkate e krime.
- Përgëzimi i Ibrahimit a.s. nga ana e engjëjve, se Sara do të lindte në pleqërinë e thellë të saj, është argument se fuqia e Allahut është e pakufishme. Ai bën që edhe plaka sterile të jetë e aftë të lindë fëmijë. Ai e nxjerr të gjallin nga i vdekuri dhe të vdekurin nga i gjalli dhe Ai e ndërron ditën dhe natën dhe mbikëqyr çdo proces të kësaj ekzistence.
- Vijon -
__________________________
1. Et-Tefsiru-l Munir, vëll. XXVII, f. 28.
2. Mustafa bin Adevijj, Tefsiru Xhuz'u Edh-Dharijat, Tanta (Egjipt), 2006, f. 47.
3. Shih më gjerësisht, Ahmed Behxhet, Të Dërguarit e Allahut, Prishtinë, 2009, f. 149-153.
4. Abdulmelik bin Ahmed Ramadani, Minkul-lisuretinfaide, Inabe-Algjeri, 2006, f. 274.
5. Transmetojnë Ebu Davudi(5004);Ahmedi(5/362). Hadithi është i kategorisë "sahih.
Sabri Bajgora