Shkatërrimi i popullit të Lutit a.s.
"Ai i pyeti: Cili është qëllimi juaj, o të dërguar? Ata thanë: "Ne jemi dërguar te një popull keqbërës, për të hedhur mbi ta gurë prej balte të pjekur, të shënuar te Zoti yt, për ata që e kalojnë kufirin (në të këqija)." Ne i nxorëm të gjithë besimtarët që ishin në atë qytet, ndonëse aty gjetëm vetëm një shtëpi myslimane, dhe në të lamë shenjë për ata që i frikësohen dënimit të dhembshëm." - (Edh Dharijat, 31-37)
31. "Ai i pyeti: Cili është qëllimi juaj, o të dërguar?"
Pasi u ngrit nga sexhdeja e falënderimit për Zotin e kësaj ekzistence, I Cili e përgëzoi me lindjen edhe të një djali tjetër, të dijshëm e të afërt tek Ai, zemra e Ibrahimit a.s. u qetësua. Ai, pa një pa dy, me shumë mirësjellje, i pyeti engjëjt e Zotit për qëllimin e vizitës së tyre te populli i Lutit a.s.
Ibrahimi a.s. e dinte mirë se ç'do të thoshte dërgimi i engjëjve tek ata. Allahu xh.sh. thotë: "Ne i dërgojmë engjëjt vetëm me të vërtetën (me dënim të premtuar), dhe atëherë (të dënuarve) nuk u jepet afat për të pritur." (El Hixhr, 8). Kjo do të thoshte se popullin e Lutit a.s. shumë shpejtë do ta godiste një ndëshkim i tmerrshëm, ndërsa natyra e mëshirshme dhe e dhimbshme e Ibrahimit a.s. nuk po gjente dot qetësi, prandaj kishte filluar të dialogonte me engjëjt, që atyre t'u jepej edhe pak afat, me shpresë se ai popull, megjithatë, do të pendoheshin e do të udhëzoheshin ...(1)
32. "Ata thanë: "Ne jemi dërguar te një popull keqbërës..."
Pas pyetjes së Ibrahimit a.s. engjëjt iu përgjigjën se ishin dërguar për ndëshkimin e një populli mizor. Mirëpo ia bënë me dije se nuk kishte asnjë mundësi për ndryshimin e vullnetit të Allahut, sepse mizoria dhe e keqja e atij populli tashmë kishte kaluar çdo kufi. Kjo nënkuptonte se çështja e tyre tashmë kishte marrë fund, meqë edhe përcaktimi i Krijuesit Fuqiplotë, kishte marrë formën e prerë, andaj zbatimi i urdhrit për shkatërrimin e popullit të Lutit a.s. duhej çuar në vend.(2)
Ashtu siç na mëson Kurani famëlartë, populli i Lutit a.s. ishte i pari në historinë e njerëzimit që filloi të praktikonte haptazi një nga veset dhe veprimet më të shëmtuara, i cili është në kundërshtim me vetë natyrën e pastër të njeriut e me të cilën na ka krijuar i Madhi Zot - homoseksualizmin. Kjo mizori dhe padrejtësi e tyre ndaj vetvetes, si dhe refuzimi i të vërtetës në të cilën i thërriste Luti a.s., i kishte çrregulluar parametrat e ekuilibrit mendor e shpirtëror të tyre, kështu që burrat ishin bërë shënjestra të dëshiruara në vend të grave, pra për kryerjen e marrëdhënieve intime. Madje, pastërtia dhe dëlirësia në atë mes të prishur moralisht, konsideroheshin krime. Ata me ngulm refuzonin shërimin të cilin ua ofronte Luti a.s. nëpërmjet këshillave hyjnore, e madje edhe i rezistonin atij.
Allahu xh.sh. na flet se në çfarë vuajtjesh shpirtërore gjendej Luti a.s. teksa i ftonte ata mizorë në besimin e vërtetë dhe i qortonte ashpër për ligësinë e homoseksualitetit që e praktikonin haptazi: "(Përkujto) Lutin kur ai popullit të vet i tha: A bëni atë punë të shëmtuar që edhe vetë ju e kuptoni (se është e keqe)?". A vërtet ju nga epshi kontaktoni me meshkujt, i braktisni gratë tuaja? Ju jeni popull injorant (xha hil)." (En Neml, 54-55)
33. "... për të hedhur mbi ta gurë prej balte të pjekur..." 34. "... të shënuar te Zoti yt, për ata që e kalojnë kufirin (në të këqija)."
Pasi ia shpjeguan gjerë e gjatë çështjen e atij populli mizor, engjëjt ia dëftuan Ibrahimit a.s. edhe mënyrën e ndëshkimit të tyre. Ia bënë të ditur se misioni i tyre ishte që mbi ta të hidhnin gurë të zjarrtë, të ardhur nga thellësia e Skëterrës. Këta ishin gurë nga argjila e fortë, e flakëruar në zjarr, të cilët binin pandërprerë, njëri pas tjetrit, të shënuar te Zoti i botëve me emrat e të gjithë atyre që tashmë i kishin kaluar kufijtë në mëkate.
Përgjatë historisë kemi edhe një rast të ngjashëm, kur Allahu ndëshkoi Ebrehenë me ushtarët e tij, pasi që ata ia kishin mësyrë Mekës, me qëllim të rrënimit të Qabesë, pak muaj para lindjes së Muhamedit a.s. Historia e ndëshkimit po përsëritej sikur me rastin e popullit të Lutit a.s. Po përsëritej me qëllim që idhujtarët mekas të ndërgjegjësohen e të marrin mësim, se ai Zot që e mori në mbrojtje shtëpinë e shenjtë-Qa benë, duke e shkatërruar ushtrinë e Ebrehesë me gurë të zjarrtë që binin nga qielli e të cilët në këtë rast i bartnin tufat e mëdha të zogjve, është po i njëjti Zot që e dërgoi Muhamedin a.s. si të Dërguar të fundit, që njerëzimin mbarë ta përudhte në dritën e të vërtetës...
35. "Ne i nxorëm të gjithë besimtarët që ishin në atë qytet..." 36. "... ndonëse aty gjetëm vetëm një shtëpi myslimane ..."
Para se të skadonte afati i paraparë për fillimin e shkatërrimit të tyre, engjëjt e urdhëruan Lutin a.s. që së bashku me familjen e tij të dilte nga ai vendbanim i mallkuar e moralprishur. Ai i mori bijat dhe bashkëshorten, por engjëjt e porositën që as ai e as vajzat e tij të mos e kthenin kokën mbrapa, për të shikuar ndëshkimin që do t'i godiste vendbanimet e Sodomës dhe Gomorës. Një këshillë të tillë nuk ia dhanë edhe për bashkëshorten e tij, sepse atë do ta godiste ndëshkimi i popullit të saj, meqë nuk ishte besimtare. Për këtë jep shenjë edhe ajeti i 81-të i sures"Hud": "(Engjëjt) Thanë: "O Lut, ne jemi të dërguarit e Zotit tënd, ata (populli yt) nuk kanë për t'u afruar te ti, e ti kah fundi i natës udhëto me familjen tënde dhe askush prej jush të mos vështrojë mbrapa (familja do të shpëtojë), pos gruas sate, ajo do të jetë e goditur me çka do të goditen edhe ata. Afati i tyre është mëngjesi, e a nuk është mëngjesi afër?!"
Engjëjt e njoftuan Lutin a.s. se ai dhe familja e tij gjatë udhëtimit do të dëgjonin zëra të frikshëm e të tmerrshëm, që do të dridhnin edhe kodrat. Për këtë arsye e urdhëruan që asnjëri prej tyre të mos e kthente kokën prapa (përveç gruas së tij), në mënyrë që të mos i godiste ajo që do t'i godiste popullin e tij ...
Komentatorët, gjatë komentimit të ajeteve 35-36 të kësaj sureje: "Ne i nxorëm të gjithë besimtarët që ishin në atë qytet, ndonëse aty gjetëm vetëm një shtëpi mys limane", kanë diskutuar e medituar gjatë, duke shtruar pyetjen: A thua ku qëndron urtësia e përmendjes së shprehjeve "besimtarë-mu'minin" dhe "muslimanë-muslimin", në këto dy ajete, meqë I Lartmadhërishmi thotë se i nxorëm nga aty të gjithë besimtarët, pra për t'i shpëtuar nga dënimi, ndonëse në atë vend gjetëm vetëm një shtëpi myslimane?! A thua janë këto dy sinonime me kuptim të njëjtë, apo në këtë ajet ka dallim në mes imanit dhe islamit?
Përgjigjet e dijetarëve rreth kësaj çështjeje dallojnë nga njëri te tjetri. Disa prej atyre që anojnë kah mendimet e shkollës së "mu'teziles"(3) kanë thënë se ka dallime nuancore në këto dy shprehje, duke sjellë si argument ajetin e 14 të sures "El Huxhurat": "Beduinët thanë: "Ne kemi besuar!" Thuaj: "Ju nuk keni besuar ende, por thoni: ne jemi dorëzuar, dhe besimi ende nuk po hyn në zemrat tuaja", si dhe hadithin kur Xhibrili e kishte pyetur të Dërguarin e Allahut në praninë e sa habëve, pra se ç'është islami, ç'është imani dhe ç'është ihsani ...?
Ndërsa ne, teksa meditojmë më thellësisht rreth ku timit të vërtetë të këtyre dy ajeteve, ku Allahu xh.sh. na bën me dije se i nxori nga aty të gjithë besimtarët, na bëhet e qartë se Ai i shpëtoi nga ndëshkimi të gjithë besimtarët e atij vendi, (që nënkupton Lutin a.s. së bashku me bijat e tij), kurse në pjesën vijuese të ajetit thuhet se Zoti në atë vend nuk gjeti përveçse një shtëpi myslimane, e ky nocion, përveç Lutit dhe bijave të tij, njëkohësisht përfshin edhe gruan e tij. Duke u nisur nga ky fakt, grupi i dijetarëve që i përmendëm më herët kanë thënë se jo domosdoshmërisht çdo mysliman është edhe besimtar, sepse dikush edhe mund të shtiret si i tillë, e në realitet është jobesimtar, ndërkohë që çdo besimtar është edhe mysliman.
Gruaja e Lutit a.s. shtirej si myslimane, por në fakt nuk ishte besimtare e Njëshmërisë. Ajo e kishte fshehur kufrin e saj në zemër, ndërsa publikisht, para Lutit a.s., ishte shtirur si myslimane. Në lidhje me këtë tradhti të saj në besim na flet edhe ajeti i 10-të i sures "Et Tahrim": "Allahu ka dhënë si shembull, për ata që nuk besojnë, gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ato ishin të martuara me dy nga robërit Tanë të ndershëm dhe i tradhtuan ata. Prandaj ata nuk mund t'i mbrojnë aspak nga Allahu (Ditën e Gjykimit), e atyre të dyjave do t'u thuhet: Hyni në zjarr me ata që po hyjnë!"
Tradhtia e dy grave të pejgamberëve të Allahut (Nuhut dhe Lutit a.s.) në këtë rast nuk nënkupton tradhtinë bashkëshortore ndaj të dërguarve të Allahut, por tradhtinë në besim, sepse thellë në zemrat e tyre e kishin mbajtur të fshehur kufrin, pa e shfaqur atë haptazi. Kështu që shtëpia e vetme myslimane në këtë rast, të cilën e për mend edhe ajeti i 36-të i kësaj sureje, është shtëpia e Lutit a.s., përfshirë këtu edhe bashkëshorten e tij, e cila deklaro hej si myslimane por nuk ishte besimtare.
Në anën tjetër, Imam Maturidiu, imami i madh i mutekel-liminjve të Ehli Sunetit është i mendimit se nuk ka dallime në mes imanit dhe islamit. Ai madje thekson se është tendencioz dhe jo i saktë, argumentimi me ajetin e 14-të të sures El Huxhurat: "Beduinët thanë: "Ne kemi besuar!" Thuaj: "Ju nuk keni besuar ende, por thuani: ne jemi dorëzuar, sepse ende besimi nuk po hyn në zemrat tuaja", se ka dallime në mes nocioneve Iman dhe Islam, sepse sipas tij ky ajet, edhe pse flet në mënyrë të përgjithësuar, specifikisht ka për qëllim vetëm një grup të caktuar beduinësh dhe jo të gjithë... Ky ajet na argumenton se është më shumë si një tërheqje e vërejtjes ndaj mynafikëve, sepse Allahu xh.sh. kishte nxjerr në shesh hipokrizinë e tyre duke ia bërë me dije Resulullahit s.a.v.s. se ata nuk kishin besuar, por vetëm ishin nënshtruar ndaj besimtarëve (duke u deklaruar sipërfaqësisht si myslimanë), nga frika e forcës së myslimanëve.(4)
Si përfundim, mund të konstatojmë se Imani dhe Islami pa njëri-tjetrin nuk mund të qëndrojnë dhe nuk kanë kuptim të plotë, sepse vetëm duke i marrë si një, kompletohet feja e Allahut si fe e vetme e pranuar, e përsosur, e zgjedhur dhe e kompletuar,(5) siç thotë edhe Allahu i Madhëruar: "Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe." (El Maide, 3)
37. "... dhe në të lamë shenjë për ata që i frikësohen dënimit të dhembshëm."
Populli i Lutit a.s. u fshi përfundimisht nga faqja e dheut. Asnjë njeri i popullit të tij nuk mbeti i gjallë, përveç Lutit a.s. dhe bijave të tij. Çdo gjë u përmbys dhe u fundos thellë nën tokë.
Me shkatërrimin e popullit të Lutit a.s. në Sodomë dhe Gomorë, ngjarje e cila është përjetësuar në shumë ajete kuranore, si fjala vjen në ajetet 81-82 të sures Hud: "Kur erdhi urdhri ynë, Ne përmbysëm të gjitha ato (fshatrat e tyre) duke kthyer çdo gjë nga lart poshtë, dhe mbi ta reshëm gurë të fortë pa ia nda. (Gurë) Të shënuar te Zoti yt. Ai (vend) nuk është larg zullumqarëve (idhujtarëve kurejshitë).", duke mbetur si një shenjë e përjetshme e ndëshkimit të kufrit dhe amoralitetit. Kështu u mbyll fleta e historisë së një populli të prishur. Populli i Lutit a.s. ishin të parët në rruzullin tokësor që kishin devijuar nga natyrshmëria e tyre njerëzore, duke u lëshuar në shfrenimet dhe orgjitë e tyre të mbrapshta homoseksuale.
Gjurmët e vendbanimeve të tyre mbetën të dukshme, në mënyrë që brezave të ardhshëm, po edhe mekasve, t'u bëhet me dije se ky do të jetë përfundimi tragjik i të gjithë atyre që shfaqin armiqësi të hapur kundër udhëzimit të Zotit. I Lartmadhërishmi në lidhje me këtë thotë: "E ju (mekas) me siguri kaloni atypari në mëngjes (ditën) e në mbrëmje (natën). Pra, a nuk mblidhni mend?" (Es Saffat, 137-138)
Porosia e këtyre ajeteve: (31-37)
- Shkatërrimi i popullit të Lutit a.s. erdhi si pasojë e devijimit të tyre nga natyrshmëria e pastër njerëzore, dhe mosbesimi tyre.
- I Lartmadhërishmi, nëpërmjet kësaj ngjarjeje dëshiron ta qetësojë zemrën e të Dërguarit të Tij se edhe kurejshët mund t'i godasë dënimi nga qielli, nëse vazhdojnë në kufrin dhe mizorinë e tyre.
- Allahu xh.sh. ua bën me dije të gjithëve se në vend banimet e shkatërruara të popullit të Lutit a.s. kanë lënë shenja dhe gjurmë, që njerëzit e tjerë të marrin mësim e të mos përsërisin gabimet dhe mëkatet e tyre.(6)
- Allahu nuk e dënon një popull përderisa në mesin e tyre ka myslimanë dhe besimtarë të vërtetë, të cilët i luten Allahut dhe i përkushtohen Atij me adhurim të sinqertë. Kjo është mëshirë nga ana e Tij.
- Vijon -
______________________________________
(1) Për më gjerësisht shih: Ibën Adil Ed-Dimeshkijj El Hanbelij, El-Lubabu fi Ulumi-l Kitab, Bejrut 1998, vëll. XVIII, f. 88-89.
(2) Shih më gjerësisht: Dhulkarnejn Vardari, Historia e Profetëve, Staten Island-Neë York, 2015, f. 176-178.
(3) Ibën Kethir, Tefsirul Kuranil Adhim, Giza-Egjipt, 2000, vëll. XVI, f. 219. (Redaktuar nga Mustafa Muhamed, Muhamed Reshad, Muhamed el Axhmavi, Ali Abdul baki dhe Hasen Kutb).
(4) Imam Maturidiu Te'vilatu ehli-s-Sunneti, Bejrut, 2004, vëll. IV, f. 549. (Me redakturë të Fatma Jusuf El Hajmi).
(5) Kasim Gërguri Akaidi sipas Imam Maturidiut, Prishtinë, 2015, f. 84-85.
(6) Dr. Me'mun Hammush Et-Tefsiru-l Me'munu ala men hexhi-t-tenzili ve-s-sahihi-l-mesnuni, Damask, 2007, vëll. VII, f. 441.
Sabri Bajgora