Rrëfimi i Musait a.s. dhe i Hudit a.s., dhe ndëshkimi i popujve të tyre
"Edhe në historinë e Musait (ka mësim), kur ia dërguam Faraonit me provë të qartë. Ai (Faraoni) u shmang (nga besimi), së bashku me parinë e vet dhe tha: "Musai është magjistar ose i çmendur!" Ne e kapëm atë me ushtrinë e tij, dhe e hodhëm në det: ai e meritoi. (Mësim ka edhe në historinë) E fisit Ad, kur i dërguam erën shkatërruese, e cila ngado që kaloi nuk kurseu asgjë, duke i kthyer në kalbësira." (Edh Dharijat, 38-46)
Lidhshmëria e këtyre ajeteve me ato paraprake
Këto ajete kanë një lidhshmëri të ngushtë me ajetet paraprake, sepse në një mënyrë janë vazhdimësi e tyre, teksa rrëfejnë ngjarje për të Dërguarit e Allahut nëpër kohë të ndryshme dhe ndëshkimet që i kanë përjetuar popujt e tyre si pasojë e kufrit dhe rebelizmit ndaj urdhrave e porosive hyjnore. Përderisa në ajetet paraprake ishim dëshmitarë të përgëzimit të Ibrahimit a.s. me një djalë-Is'hakun, përgëzim që u pasua me njoftimin për ndëshkimin e tmerrshëm të popullit të Lutit a.s., tash kemi përmend jen e katër popujve të ndryshëm nëpër kohë, e të cilët i mohuan pejgamberët e Allahut. Bëhet fjalë për ndëshkimin e Faraonit në kohën e Musait a.s., ndëshkimin e popullit Themud, tek i cili ishte dërguar Salihu a.s., të popullit Ad, tek i cili ishte dërguar Hudi a.s., si dhe për ndëshkimin e popullit të Nuhit a.s.
Koment
Rrëfimi i Musait a.s.
38. Edhe në historinë e Musait (ka mësim), kur ia dërguam Faraonit me provë të qartë. 39. Ai (Faraoni) u shmang (nga besimi), së bashku me parinë e vet dhe tha: "Musai është magjistar ose i çmendur!" 40. Ne e kapëm atë me ushtrinë e tij, dhe e hodhëm në det: ai e meritoi.
Rrëfimi i Musait a.s. me Faraonin është një ndër rrëfimet më mbresëlënëse, e që ka zënë një vend të spikatur nëpër sure të ndryshme kuranore. Mbase ekziston një urtësi e madhe pas tërë kësaj, urtësi e cila sikur na përcjell një mesazh të fuqishëm, që njerëzit në asnjë mënyrë nuk duhet t'ia kthejnë shpinën udhëzimit hyjnor dhe të rebelohen ndaj urdhrave të Allahut. Në të kundërtën ndëshkimi i Tij mund t'i përfshijë edhe në këtë botë, para Ahiretit.
Duke hulumtuar e shfletuar nëpër fletët e historisë së Musait a.s., gjithsesi do të ndeshemi me një realitet të hidhur të një jete të vështirë e të mjerueshme të popullit të atëhershëm të Egjiptit. Para syve sikur na shfaqen turma të mëdha njerëzish të nënshtruar e të robëruar, duke respektuar verbërisht urdhrat e këtij Faraoni mendjemadh, i cili pa fije turpi hiqet si "zot"!
Allahu i Plotfuqishëm në Kuranin fisnik, në lidhje me këto pretendime të marra të Faraonit, thotë: "I tuboi (të gjithë të vetët) dhe u mbajti fjalim, e u tha: "Unë jam zoti juaj më i lartë!" (En Naziat, 23-24)
Pa dyshim se njerëzit, mbase nga detyrimi, i kishin ulur kokat e tyre para kësaj fjale të kufrit dhe kishin "pranuar" në heshtje thënien e paskrupullt të këtij zullumqari. Populli i Egjiptit, përfshirë këtu edhe hebrenjtë e robëruar, kishin paguar shtrenjtë çmimin e përuljes dhe të nënshtrimit ndaj Faraonit. Ishte ky një çmim shumë më i shtrenjtë po të krahasohej me një kryengritje dhe rebelim kundër tij. Pikërisht për këtë arsye I Madhi, Zoti xh.sh., kishte përzgjedhur Musain a.s. që ta përcillte mesazhin e Tij të udhëzimit te ky njeri i lig.
Musai a.s., i pajisur me fisnikërinë dhe zemërgjerësinë e një të dërguari të Allahut, pa frikë për jetën e vet, shkoi të ballafaqohej me arrogancën dhe vrazhdësinë e tiranit më gjakpirës të asaj kohe në botë. Ai e dinte mirë që Faraoni i Egjiptit ishte mendjemadh, despot dhe shtypës. E dinte se Faraoni sapo të dëgjonte fjalët e Musait a.s. do të merrte pozicion mohues, mospërfillës e injorues ndaj thirrjes së tij, por I Gjithëdijshmi e kishte urdhëruar që të shkonte tek ai dhe ta ftonte në rrugën e Allahut, me butësi e fjalë të mira.
Sipas rrjedhës së ngjarjes, duke u bazuar në ajete të tjera të sureve kuranore, shohim se në mes Musait a.s. dhe Faraonit ishin zhvilluar biseda e dialogë të shumtë, dhe pasi Musai a.s. ia kishte dëftuar atij dy mrekullitë me të cilat e kishte fuqizuar Allahu xh.sh., ai u bë edhe më arrogant e mendjemadh. Ai ishte i bindur se shkopi që shndërrohej në gjarpër dhe dora që i bënte dritë kur e nxirrte nga xhepi ishin vepra magjie, prandaj ishte krekosur e mburrur se me ndihmën e magjistarëve të tij do ta mposhtte Musain a.s.
Në ditën e ballafaqimit me magjistarët, kur ata hodhën litarët e tyre që përdridheshin në podium sikur të ishin gjarpërinj të gjallë, dhe më pas Musai a.s. hodhi shkopin që u shndërrua në një gjarpër të madh, duke i përpirë sa çel e mbyll sytë litarët e tyre, Faraoni e pa veten në siklet të madh. Ai vërejti se po humbte nga autoriteti para popullit të vet, të cilët e dinin si 'zot'. Për të rikthyer autoritetin e nëpërkëmbur, ai urdhëroi ekzekutimin, apo thënë më mirë masakrimin e magjistarëve, të cilët tashmë i kishin besuar Allahut të Gjithëpushtetshëm.
Pas sprovave dhe belave të mëdha, me të cilat Allahu e sprovoi Faraonin dhe popullin e tij, ai më në fund vendosi të lejonte që Beni Israilët të largoheshin nga Egjipti. Por shumë shpejt u pendua për këtë veprim të tij, andaj e ndoqi nga pas Musain dhe Beni Israilët. Kur iu afrua atyre, Faraoni me sytë e vet e pa mrekullinë e çarjes së detit më dysh, por mendjemadhësia e tij e kishte verbuar mendjen e tij, prandaj hamendësoi se edhe kësaj radhe mund t'ia dilte e ta robëronte sër ish popullin e Musait a.s. Ndonëse ndjeu frikë nga ajo pamje madhështore, megjithatë, nga inati dhe zemërimi i madh që kishte në zemër, urdhëroi karrocat e tij luftarake të çanin përpara, duke i prirë vetë ush trisë e cila po e ndiqte nga pas.
Faraoni si i tërbuar arriti me ushtrinë e tij deri në mes të detit. Madje kishte kaluar gjysmën e rrugës dhe ishte gati të dilte në bregun tjetër kur Allahu xh.sh. i dha urdhrin Xhibrilit a.s. që të lëvizte dallgët gjigante, të cilat u përplasen me forcë mbi Faraonin dhe ushtrinë e tij. Faraoni u fundos së bashku me ushtarët e tij. Duke u fundosur në valët e harlisura të detit të trazuar, ai më në fund e kuptoi realitetin dhe të vërtetën, pasi iu zbulua perdja e të fshehtës, duke u zhytur në mundimet e vdekjes. Ai e kuptoi që Musai a.s. ishte i sinqertë dhe i drejtë në ftesën e tij, kurse ky e kishte humbur vetveten me armiqësinë dhe luftimin kundër tij. Në ato çaste të fundit të jetës Faraoni besoi..., e Allahu xh.sh. thotë:"... derisa atë e përfshiu përmbysja, e ai tha: "Besova se nuk ka zot tjetër pos Atij që i besuan Beni Israilët, edhe unë jam nga myslimanët!" (Junus, 90)
Por pendimi i tij ishte i vonshëm, i papranueshëm dhe jo i sinqertë. Ky ishte pendim që erdhi pasi ai kishte parë vendin e ndëshkimit dhe hyrjen në rrugën e pakthim-të vdekjes: "Ti tani beson, ndërsa më parë kundërshtove dhe ishe njëri prej shkatërruesve!" (Junus, 91), e që nënkuptonte se në fakt këtu nuk kishte pendim të mirëfilltë. Koha e paraparë e pendimit për të kishte mbaruar, dhe më nuk kishte shpëtim. Do të shpëtonte vetëm trupi i tij: "Sot po të shpëtojmë ty (po të nxjerrim nga deti) me trupin tënd (të vdekur), që të shërbesh si argument për ata që vijnë pas teje..." (Junus, 92)
Ai do të vdiste, ndërsa valët e detit do ta hidhnin trupin e tij në breg, si argument të arrogancës për gjeneratat që do të vijnë pas tij. Ajo që i ngjau Faraonit ishte realizim i një ligji të kahershëm ndaj robërve të Allahut, i cili ligj saktëson se Imani në çastet e ndëshkimit apo pas tij është i pavlerë dhe i padobishëm.
Allahu xh.sh. thotë: "E kur e panë dënimin tonë, thanë: "Ne i kemi besuar vetëm Allahut dhe i kemi mohuar ata që ia shoqëronim." Por besimi i tyre, kur e vërejtën dënimin tonë, nuk u bëri dobi. Ky është ligj i Allahut (i kahershëm) ndaj robërve të Tij, dhe aty, në atë çast, pësuan disfatë jobesimtarët." (Gafir, 84-85)
Rrëfimi i Hudit a.s.
41. (Mësim ka edhe në historinë) E fisit Ad, kur i dërguam erën shkatërruese, 42. e cila ngado që kaloi nuk kurseu asgjë, duke i kthyer në kalbësira.
Vendbanimi i fisit Ad, i quajtur Ahkaf, ishte një shkretëtirë që karakterizohej me duna të pjerrëta rëre, që zgjateshin deri në bregdet. Shtëpitë e tyre ishin tenda të mëdha, që mbështeteshin në shtylla të larta gjigante. Ashtu siç i përshkruan Kurani famëlartë, populli Ad ishin njerëz shtatlartë nga konstrukti fizik. Ata ishin viganë të fuqishëm, saqë në atë kohë askush nuk mund të matej me fuqinë e tyre. Me gjithë këto tipare të forcës e të gjatësisë, mendjet e tyre ishin të errësuara. Ata adhuronin idhuj të ndryshëm, madje për hir të tyre ishin të gatshëm edhe të vdisnin. Verbëria që i kishte kapluar sytë dhe mendjet e tyre, nuk i linte të shihnin asgjë tjetër përveç mendjemadhësisë dhe fodullëkut të tyre.
Allahu i Gjithëmëshirshëm e kishte dërguar te këta një pejgamber fisnik, Hudin a.s., i cili i thirrte në besimin e drejtë dhe i këshillonte: "...O populli im adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër pos Tij, ju vetëm po hutoheni me trillime." (Hud, 50)
Derisa lexojmë për historinë e dhimbshme të këtij të Dërguari të Allahut me popullin e tij jobesimtar, vërtet mbesim të mahnitur me guximin e tij në mbrojtjen e së vërtetës. Një njeri i vetëm po përballej me një popull të tërë, të vrazhdë, të ashpër dhe injorantë, të cilët pretendonin se statujat e tyre nga guri mund t'i bënin keq kujtdo. Një njeri i vetëm po qëndronte stoikisht përballë tiranëve dhe mburravecëve, duke ua zhvlerësuar besimin e tyre të kotë. Ai distancohej prej tyre dhe nga zotat që ata i besonin, duke i sfiduar haptazi, sepse ishte mbështetur në Allahun e Gjithëfuqishëm, I Cili e ka krijuar tërë këtë ekzistencë nga hiçgjëja.
Pas një kohe të gjatë të thirrjes së tyre në Njëshmërinë e pastër, e cila natyrshëm është e lindur dhe e brumosur në thellësinë e zemrës së çdo njeriu, ata nuk ia varën veshin, përkundrazi talleshin me të dhe e sfidonin haptazi që t'ua sillte dënimin nga qielli, nëse ishte në të vërtetën. Hudi a.s. nuk pati rrugëdalje tjetër përveçse t'ua bënte me dije popullit të vet se ai tashmë e kishte kryer amanetin dhe e kishte transmetuar mesazhin. Meqë ata e kishin mohuar vazhdimisht dhe për vite të tëra, ua bëri me dije se Allahu xh.sh. në vend të tyre do të bënte mëkëmbës dhe trashëgues të tokës njerëz të tjerë. Kjo nënkuptonte se ata së shpejti do t'i kapte ndëshkimi hyjnor. Ky është një nga ligjet e jetës, kur Allahu dënon jobesimtarët, sado të fuqishëm, të pasur apo tiranë të jenë.
Hudi a.s. po priste realizimin e premtimit të Allahut, ashtu sikur edhe populli i tij. Shenja e parë e ndëshkimit hyjnor ishte fillimi i një thatësie të paparë në tokë. Për muaj të tërë nuk ra asnjë pikë shiu, ndërkohë që dielli vazhdonte të përcëllonte e të thante tokat e tyre. Hudi a.s., me lejen e Allahut, ua dha edhe mundësinë e fundit të pendimit, por ata filluan të talleshin edhe më shumë. Mosbesimi i tyre ishte rasti i humbur për t'u kthyer tek Allahu, prandaj këtu fillon edhe fundi i tyre. Thatësia pllakosi çdo gjë, saqë edhe pemët e gjelbra filluan të zverdheshin e bimët të thaheshin. Përderisa vazhdonte kjo gjendje e rëndë, një ditë, befas mbi kokat e tyre u shfaq një re gjigante që mbuloi tërë qiellin. Populli i Hudit a.s. u gëzuan shumë dhe thanë: "Kjo re, më në fund do të na sjellë shiun e shumëpritur." Allahu xh.sh. në lidhje me këtë thotë: "E kur e panë të paraqitur (renë) të drejtuar kah luginat e tyre, thanë: "Kjo re do të na sjellë shi!" Jo, (u tha Hudi) kjo është ajo që ju e kërkuat sa më shpejt, një erë (shtrëngatë) me një dënim të dhembshëm. (Erë) që me lejen e Zotit të saj, rrënon çdo send." (El Ahkaf, 24-25)
Por ndodhi pikërisht e kundërta. Në vend të shiut filloi një acar i ashpër. Erërat apo uraganet e fuqishëm filluan të frynin me tërbim. Çdo gjë filloi të dridhej, pemët, bimët dhe njerëzit së bashku me tendat e tyre. Njerëzve filloi t'u ngjethej lëkura, mishi dhe eshtrat, deri në palcë. Erërat rrëmbyese nuk kishin të ndalur për shtatë net e tetë ditë. Nga hutia populli i Hudit a.s. morën arratinë. Shpejtuan nëpër tendat e tyre duke u fshehur brenda tyre, por erërat që po harlise shin si të çmendura i shkulnin dhe copëtonin ato duke i hedhur lart në ajër. Këto erëra të rrëmbyeshme e të ftohta si akull shqyenin e copëtonin jo vetëm rrobat dhe lëkurat e njerëzve, por ato depërtonin thellë në çdo pore dhe vrimë të trupit, duke i çarë e shkatërruar. Çdo gjë që preknin këto erëra e mbytnin pa mëshirë, e shkatërronin dhe ia thanin zemrën duke e shndërruar trupin në një kalbësirë, që sapo ta prekje bëhej hi e pluhur.
Në lidhje me këtë ndëshkim të tmerrshëm të tyre, I Lartmadhërishmi thotë: "Atë (erën) Ai e lëshoi kundër tyre shtatë net e tetë ditë rresht, kur i shihje njerëzit në to të rrëzuar, dukeshin sikur trupa hurmash të zgavruara." (El-Hakkah, 7) Nga populli i Hudit a.s. nuk mbije toi asnjë prej jobesimtarëve. Ata ishin kalbur e tharë siç kalben trupat e moçëm të palmave, duke mbetur vetëm mbështjellësi i jashtëm. Hudi a.s., dhe ata të paktët që i besuan Allahut, shpëtuan, kurse mizorët dhe jobesimtarët u shkatërruan përjetësisht…
Porosia e këtyre ajeteve: (38-42)
- Ndëshkimet e popujve të mëparshëm janë mësim për breznitë e ardhshme, se çdo devijim nga e vërteta dhe çdo rebelim nga urdhrat e Allahut xh.sh. mund të sanksionohet me ndëshkim të tmerrshëm.
- Faraoni dhe një pjesë e madhe e ushtrisë së tij u fundosën në thellësitë e detit, duke lënë pas vetes një kujtim të hidhur për historinë. E, historia e popujve dhe e tiranëve na ka mësuar se ai që ngrihet mbi njerëzoren e tij, duke pretenduar se është hyjnor, dhe ia kthen shpinën udhëzimit të Zotit të botëve, përfundimi i tij është shumë i keq dhe tragjik.
- Përfundimi i Faraonit ishte i atillë, që të mbetej mësim për të gjitha gjeneratat njerëzore, sepse vetëm për të i Madhi Zot ka thënë: "Sot po të shpëtojmë ty (po të nxjerrim nga detit me trupin tënd (të vdekur), që të shërbesh si argument për ata që vijnë pas teje..." (Junus, 92)
- Vijon -
Sabri Bajgora